Lajme

Thirrje për autorë të jashtëm_KP-2026_Final

226206824_279860577273957_275840387616997729_n
Lajme

Thirrje për autorë të jashtëm_KP-2026_Final

Instituti Pedagogjik i Kosovës

Pedagoski Institut Kosova

Kosovo Pedagogical Institute

 

Thirrje për dërgimin e punimeve për botim në revistën shkencore

“Kërkime Pedagogjike” (2026)

 

Thirrje për studiues/autorë të punimeve të fushës së Pedagogjisë – Edukimit për botim të punimeve në revistën shekncore te Institutit Pedagogjik të Kosovës “Kërkime Pedagogjike” 2026.

 

Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), me synim të krijimit të urave të reja të bashkëpunimit me studiues në fushën e Pedagogjisë – Edukimit, fton studiues/autorë të interesuar të botojnë punimet e tyre në revistën shkencore të Institutit “Kërkime Pedagogjike” 2026.

 

Revista shkencore “Kërkime Pedagogjike” ka numrin e saj të ISSN-së, publikohet çdo vit nga Instituti (botim në letër dhe online) si dhe në platformën e revistave akademike dhe shkencore shqiptare, Albanica – https://albanica.al/home/ 

 

Nga aplikimet me punime në këtë thirrje, redaksia e revistës shkencore “Kërkime Pedagogjike” ka planifikuar të përzgjedhë 6 deri në 8 artikuj/punime, të cilët ndër të tjera veçohen me një fokus në ofrimin e alternativave për zgjidhje të problemeve të caktuara në fushën e edukimit, sektorit të arsimit parauniversitar, të bazuara në evidenca dhe gjetje relevante të studimit.

 

Punimet që do të përzgjedhen nga kjo thirrje do të botohen në një numër të veçantë të revistës ‘Kërkime Pedagogjike’ të vitit 2026. Botimet do të pajiset me DOI nëpërmejt Crossref dhe do të publikohen vetëm në version online në revistën Kërkime Pedagogjike 2026https://albanica.al/home/journal.php?path=kerkime_pedagogjike

 

Në këtë numër, ftojmë studiuesi/autorët të aplikojnë me punimet e tyre lidhur me njërën nga temat e mëposhtme:

 

1.      Politikat dhe sistemet për zhvillimin profesional të mësimdhënësve

Analiza e politikave arsimore dhe mekanizmave institucionalë që rregullojnë zhvillimin profesional të mësimdhënësve, përfshirë sistemin e licencimit, avancimin në karrierë, vlerësimin e performancës dhe ndërlidhjen e tyre me cilësinë e arsimit dhe përmirësimin e praktikave mësimore.

2.      Udhëheqja arsimore, mbikëqyrja pedagogjike dhe monitorimi profesional

Roli i udhëheqjes së shkollës, strukturave profesionale dhe mekanizmave të mbikëqyrjes pedagogjike në identifikimin e nevojave për zhvillim profesional, mbështetjen e mësimdhënësve dhe përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies përmes monitorimit, reflektimit profesional dhe kulturës së bashkëpunimit në shkollë.

 

3.      Mirëqenia profesionale, motivimi dhe zhvillimi i mësimdhënësve përgjatë karrierës

Çështje që lidhen me mirëqenien profesionale, motivimin dhe përballimin e sfidave gjatë fazave të ndryshme të karrierës së mësimdhënësve, duke përfshirë mbështetjen për mësimdhënësit fillestarë dhe zhvillimin profesional të vazhdueshëm në kontekste të ndryshme arsimore. Kjo tematikë përfshin gjithashtu rolin e zhvillimit profesional me bazë në shkollë dhe të bashkëpunimit profesional ndërmjet mësimdhënësve si mekanizma që mbështesin reflektimin profesional, të nxënit kolegjial dhe zhvillimin e praktikave efektive të mësimdhënies.

 

4.      Transformimi digjital dhe inteligjenca artificiale në zhvillimin profesional të mësimdhënësve

Integrimi i teknologjisë dhe transformimit digjital në proceset e mësimdhënies dhe të të nxënit, zhvillimi i kompetencave digjitale të mësimdhënësve, përdorimi i inteligjencës artificiale në mësimdhënie dhe në zhvillimin profesional, si dhe ndikimi i tyre në inovacionin pedagogjik dhe në përmirësimin e praktikave arsimore.

 

5.      Zhvillimi profesional për përmirësimin e cilësisë së të nxënit: kurrikula, tekstet shkollore, dhe kultura e leximit

Roli i zhvillimit profesional të mësimdhënësve në zbatimin dhe rishikimin e kurrikulës, në përzgjedhjen, përdorimin dhe përmirësimin e teksteve dhe materialeve mësimore, si dhe në zhvillimin dhe integrimin e lektyrave shkollore në procesin e të nxënit. Kjo tematikë trajton gjithashtu promovimin e kulturës së leximit, zhvillimin e kompetencave të lexim-shkrimit (literacy) dhe të leximit me kuptim, si faktorë kyç për përmirësimin e cilësisë së të nxënit te fëmijët dhe nxënësit.

 

Data me rëndësi:

Þ    Dërgimi i artikullit/punimit nga autori/autorët: deri më 15 Tetor 2026

Þ    Informata kthyese nga redaksia për artikullin/punimin: deri më 31 tetor 2026

Þ    Dërgimi i punimit të rishikuar/plotësuar nga autori/autorët: deri më 10 nëntor 2026

Þ    Publikimi i revistës “Kërkime Pedagogjike”: deri më 15 dhjetor 2026

 

 

Kriteret për botim të punimeve

 

Punimet për botim në Revisten “Kërkime Pedagogjike” të IPK-së, vlerësohen nga redaksia e revistës. Punimet, të cilat do të shqyrtohen për botim duhet t’i plotësojnë kriteret vijuese;

  • Punimi/et duhet të jenë në përputhje me stilin APA 7 (struktura, referencat, stili i shkrimit) – https://apastyle.apa.org
  • Titulli i punimit duhet të përfaqësojë përmbajtjen e punimit. Duhet t’i përmbajë jo më shumë se 12 fjalë;
  • Punimi duhet të kenë emrin, mbiemrin e autorit/eve, emrin e institucionit/organizatës ku punon autori/ët;
  • Stili i shkronjave Times New Roman 12, ndërsa titulli Times New Roman 14;
  • Emrin dhe mbiemrin e së paku dy recensentëve të punimit;
  • Punimi duhet të ketë abstraktin sipas kritereve:
    • Abstrakti duhet të përmbajnë 200 deri në 250 fjalë.
    • Abstrakti duhet të përmbajë një hyrje të shkurtër për temën, qëllimin, metodën kryesore të përdorur, gjetjet ose implikimet dhe përfundimet kryesore.
    • Abstrakti mund të ketë deri në shtatë (7) fjalë çelës. Stili i shkrimit sipas APA-s, botimi 7.
    • Abstrakti duhet të jetë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën angleze.
  • Punimi i plotë i dërguar për shqyrtim dhe për botim duhet të përmbajë: abstraktin, hyrjen për temën, qëllimin dhe problemin, kontekstin teorik – shqyrtimin e literaturës, metodologjinë e aplikuar, gjetjet dhe analizën e tyre, diskutimin dhe implikimet, përfundimet dhe rekomandimet.
  • Punimi duhet të jetë nga 6000 – 8000 fjalë. Në këtë numër nuk përfshihen abstrakti, tabelat, figurat dhe referencat e punimit/artikullit.
  • Punimi i plotë i dërguar për shqyrtim dhe për botim duhet të ketë raportin me emrin dhe mbiemrin e redaktorit gjuhësor;
  • Krahas dërgimit të punimit të plotë, autori/ja i dërgon edhe raportet e vlerësimit të dy recensentëve të punimit. Recensentët duhet të jenë me përvojë nga fusha e ngushtë e punimit.

 

Artikujt/punimet dërgohen në emal-adresën: institutipedagogjik@gmail.com  

Ju mirëpresim!

 

Leave your thought here

Your email address will not be published. Required fields are marked *