Konferenca Ndërkombëtare CIDREE Yearbook 2026
18/11/2026 2026-11-18 13:08Konferenca Ndërkombëtare CIDREE Yearbook 2026
Konferenca Ndërkombëtare CIDREE Yearbook 2026 – Kosova në qendër të dialogut evropian për zhvillimin profesional të mësimdhënësve
Prishtinë, 13 nëntor 2026 – Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) ishte nikoqir i aktiviteteve ndërkombëtare të rrjetit evropian CIDREE, të zhvilluara në Prishtinë nga 11 deri më 13 nëntor 2026, me pjesëmarrjen e rreth 40 përfaqësuesve nga vende dhe sisteme arsimore evropiane, përfshirë Shqipërinë, Belgjikën, Bosnjën dhe Hercegovinën, Hungarinë, Irlandën, Kosovën, Luksemburgun, Malin e Zi, Holandën, Norvegjinë, Poloninë, Sllovakinë, Slloveninë, Suedinë, Zvicrën, Skocinë dhe Uellsin.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, më 12 nëntor u mbajt Konferenca Ndërkombëtare CIDREE Yearbook 2026, me temën “Zhvillimi profesional i mësimdhënësve në shërbim – Praktikat aktuale, sfidat, trendet dhe mundësitë”, ndërsa më 13 nëntor u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e CIDREE (General Assembly – GA).
CIDREE është një rrjet evropian i institucioneve që merren me kërkimin dhe zhvillimin e arsimit. Instituti Pedagogjik i Kosovës është pjesë aktive e këtij rrjeti që nga viti 2016, duke kontribuar përmes konferencave, takimeve të ekspertëve, projekteve të përbashkëta dhe publikimeve shkencore në CIDREE Yearbook. Koordinatore Kombëtare e CIDREE për Kosovën, që nga viti 2024, është Dr. Sc. Luljeta Shala, hulumtuese e pavarur në IPK.
Konferenca u hap me fjalën përshëndetëse të Dr. Amantina Pervizaj Kelmendit, ushtruese e detyrës së drejtoreshës së IPK-së, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional të mësimdhënësve për përmirësimin e cilësisë së arsimit.
Të pranishmëve iu drejtua edhe znj. Rebecca Satterfield, përfaqësuese e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, e cila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes amerikane për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, përmes programeve të shkëmbimit akademik dhe profesional, përfshirë programet fellowship.
Në kuadër të prezantimeve kryesore, Prof. Asoc. Blerim Saqipi, nga Fakulteti i Edukimit i Universitetit të Prishtinës, trajtoi reformat dhe zhvillimet në përgatitjen e mësimdhënësve, ndërsa Dr. Egzon Gashi, nga Teach For Kosova, trajtoi rëndësinë e vlerësimit të performancës për avancimin e tyre profesional. Në vijim, të dy folësit morën pjesë në diskutimin në panel, të moderuar nga Dr. Osman Buleshkaj, hulumtues në IPK.
Një moment qendror i konferencës ishte prezantimi dhe promovimi i CIDREE Yearbook 2026, i cili përfshin 11 punime shkencore dhe profesionale nga 11 vende evropiane, me fokus politikat, praktikat dhe sfidat e zhvillimit profesional të mësimdhënësve. Vjetari u prezantua nga znj. Arlene Forster, presidente e CIDREE, ndërsa aspektet editoriale u prezantuan nga Osman Buleshkaj dhe Selim Mehmeti, redaktorë të botimit.
Në sesionet e pasdites, autorët nga Shqipëria, Hungaria, Irlanda, Kosova, Luksemburgu, Mali i Zi, Norvegjia, Sllovakia, Sllovenia, Suedia dhe Uellsi prezantuan punimet dhe shkëmbyen përvoja mbi praktikat dhe qasjet bashkëkohore të zhvillimit profesional. Sesionet u moderuan nga Dr. Elmedina Nikoçeviq-Kurti dhe MSc. Haxhere Zylfiu.
Më 13 nëntor 2026, aktivitetet vazhduan me Asamblenë e Përgjithshme të CIDREE, ku përfaqësuesit e institucioneve anëtare diskutuan prioritetet, aktivitetet dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kërkimit dhe zhvillimit arsimor.
Organizimi i këtyre aktiviteteve në Kosovë, për herë të parë në këtë format, shënon një arritje të rëndësishme për Institutin Pedagogjik të Kosovës, duke fuqizuar rolin e tij në rrjetet evropiane të kërkimit arsimor dhe duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim ndërinstitucional.
Instituti Pedagogjik i Kosovës shpreh mirënjohje për të gjithë përfaqësuesit e CIDREE, institucionet partnere, folësit, autorët dhe pjesëmarrësit që kontribuuan në realizimin e suksesshëm të këtyre aktiviteteve.