25/11/2025

Instituti Pedagogjik i Kosovës merr pjesë në Javën e të Mësuarit Gjatë Gjithë Jetës (JMGJJ) në Kosovë
JMGJJ në Kosovë realizohet nga 24 deri më 27 nëntor 2025, nën udhëheqjen e MASHTI-t dhe mbështetjen nga DVV Internacional Kosova.
Përmes aktiviteteve që realizohen në kuadër të JMGJJ-së, synohet të rritet ndërgjegjësimi i përfaqësueseve të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për rëndësinë dhe mundësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës, nga të gjitha moshat dhe për të gjitha fushat e jetës, pa dallim. Këto aktivitete promovuese organizohen në disa komuna të Republikës së Kosovës (Prishtinë, Prizren, Pejë, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Kamenicë, Ferizaj, Gjakovë dhe Podujevë), me qëllim të paraqitjes së ofertave të shumta edukativo-arsimore nga institucionet anëtare të Rrjetit joformal për Arsimin e të Rriturve në Kosovë (ALE NK – Adult Learning and Education Network in Kosova).
Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK), si anëtar i ALE NK, është partner në realizimin e aktiviteteve në kuadër në JMGJJ-së. Sikurse edhe në shumë ngjarje të ngjashme me karakter shkencor e promovues, kontributin e vet IPK-ja e realizon përmes pjesëmarrjes aktive në aktivitetet e JMGJJ-së, duke ndarë materiale informuese dhe publikime të hulumtimeve shkencore për temat e ndërlidhura.
Së bashku me institucione dhe organizata partnere, IPK-ja e realizoi kontributin në ditën e parë të JMGJJ-së në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, ndërsa më 26 dhe 27 nëntor do të vazhdojmë me angazhim edhe në komunën e Ferizajt dhe të Podujevës.
Suksese!

