Më 1, 2 dhe 4 korrik 2025 janë certifikuar 166 pjesëmarrës në programin e trajnimit për rishikim dhe përmirësim të teksteve shkollore. Trajnimet janë organizuar në komunat: Prizren, Dragash, Prishtinë, Obiliq, Mitrovicë, Viti, Klinë dhe Malishevë. Pjesë e trajnimit ishin mësimdhënës, drejtorë shkolle, psikologë dhe pedagogë.
Programi i trajnimit zbatohet nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, me mbështetje nga projekti KosED, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Mospërputhja e plotë e teksteve shkollore me kurrikulën e re paraqet një sfidë të vazhdueshme për mësimdhënësit. Prandaj, programi i trajnimit synon të fuqizojë mësimdhënësit në harmonizimin e teksteve ekzistuese për klasat 1 deri në 9 me kornizën kurrikulare dhe programe mësimore. Trajnimi përfshin analiza profesionale të bazuara në kritere të përcaktuara për vlerësimin e teksteve dhe ofron rekomandime konkrete për përmirësim.
Një nga qëllimet kryesore të programit është mobilizimi i ekipeve të mësimdhënësve dhe aktiveve profesionale për të identifikuar mangësitë e teksteve aktuale dhe për të kontribuar në zhvillimin e teksteve më cilësore dhe më të përshtatshme për nxënësit.
Programi bazohet në përdorimin profesional të kritereve dhe përshkruesve për rishikimin e teksteve shkollore dhe është i strukturuar në tri ditë trajnimi të drejtpërdrejtë dhe pesë ditë pune për analizë dhe përgatitje të raportit. Programi është i aprovuar nga Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve dhe i ka gjithsej 48 orë për certifikim.
Instituti Pedagogjik i Kosovës, në bashkëpunim me projektin KosED, do të ofrojnë edhe 7 trajnime të tjera gjatë muajve shtator dhe tetor 2025. Trajnimet do të realizohen në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe shkollat pjesëmarrëse.