Rekomandime nga simpoziumi “Integrimi i artit, dramës dhe teatrit në Edukim”
Në kuadër të simpoziumit, synimi i diskutimeve ishte integrimi i arteve në tërësi – duke përfshirë dramën, muzikën, filmin, pikturën, skulpturën, vallëzimin dhe aktrimin – si mjete për pasurimin e procesit mësimor. Përmes këtij integrimi, synohet të zhvillohen aftësitë kritike, analitike, krijuese, dhe imagjinative të nxënësve, duke përmirësuar kështu edhe përvetësimin e njësive didaktike.
Meqenëse përmes studimeve të fushës së edukimit ekspertët kanë dhënë dëshmi se angazhimi i fëmijëve dhe të rinjve me artet ka efekt pozitiv në shëndetin dhe mirëqenien e tyre emocionale, kognitive dhe mendore, në përgjithësi, politikat arsimore të shumë vendeve artin e zbatojnë si metodë për të bërë orën mësimore dhe shkollën më atraktive dhe për ta nxitur kureshtjen e nxënësve. Disa vende integrimin e artit në proces mësimor e zbatojnë edhe si përpjekje për ngritje të rezultateve dhe arritjeve të nxënësve. Krahas kësaj, OECD-ja konstaton se arti në shkollë është mundësi shumëdimensionale për zhvillimin e plotë të personalitetit të nxënësve dhe për aftësimin kognitiv të tyre.
Në koherencë më këto dhe duke u bazuar në nevojat tona aktuale arsimore, kur po pretendohet realizimi i mësimit tërëditor, Instituti Pedagogjik i Kosovës, në bashkëpunim me MUTE Foundation dhe EdGuard Institute, ka realizuar simpoziumin shkencor ,,Integrimi i artit, dramës e teatrit në procesin mësimor”, qëllimi i të cilit ishte shqyrtimi i rolit dhe mundësive shumëdimensionale të artit në përmirësimin e procesit mësimor dhe nxjerrja e rekomandimeve nga ekspertët e fushave, për veprime konkrete nga ana e politikave arsimore dhe për një mësimdhënie më të qëndrueshme e më atraktive, si domosdoshmëri reale e sistemit tonë arsimor.
Folës kryesorë në këtë simpozium ishin:
- Zehrie Plakolli – IPK (koordinatore e simpoziumit dhe prezantuese e hulumtimit “Niveli i zbatimit dhe roli i dramës e teatrit në procesin mësimor”
- Florie Bajoku – Mute Foundation (nikoqire-folëse)
- Fadil Hysaj – profesor, Universiteti i Prishtinës
- Erënestina Halili – Universiteti i Tiranës
- Blerina Kallaba – pedagoge e Artit
- Mimoza Shahini – prof. asc. QKUK
Në panel diskutimi morën pjesë:
- Ilire Vinca – profesoreshë, Universiteti i Prishtinës
- Linda Hoxha – Ass, Universiteti i Prishtinës
- Avni Rexha – MAShTI
- Agim Selimi – regjisor, psikiatër, Universiteti i Prishtinës
- Mariela Progni – Universiteti i Prishtinës
- Elizabeta Qarri – Kolegji AAB.
Folësit në përgjithësi theksuan rëndësinë e përfshirjes së arteve në secilën lëndë mësimore, përmes përdorimit të dramatizimeve, tregimeve, imazheve, filmave dhe formave të tjera artistike, për ta bërë procesin më të kuptueshëm dhe për të nxitur kureshtjen e nxënësve. Këto teknika ndihmojnë në thellimin e të kuptuarit të temave mësimore dhe krijojnë një ambient tërheqës dhe frymëzues në klasë.
Në vijim janë disa rekomandime të dala nga ky simpozium, të cilat mund të përfshihen si pjesë e politikave të reja arsimore dhe të mbështesin reformat kurrikulare për arsimin parauniversitar, duke i dhënë rëndësi të veçantë përgatitjes së mësuesve për përdorimin e arteve në mësimdhënie:
- Integrimi i arteve në të gjitha lëndët
Zbatimi i elementeve artistike si mjet konkretizimi dhe qartësimi në orët e mësimit në të gjitha lëndët. Përdorimi i dramës, muzikës, vizualizimeve artistike dhe teknologjive multimediale, si mjete didaktike për përvetësimin më të lehtë të njohurive.
- Zbatimi i arteve në arsimin parashkollor dhe fillor
Duke qenë se fëmijët në fazat e hershme të zhvillimit mësojnë përmes lojës dhe eksplorimit të botës përreth tyre, integrimi i arteve në kurrikulën parashkollore është thelbësor. Aktivitetet, si vizatimi, kërcimi, muzika dhe dramatizimi, ndihmojnë në zhvillimin e aftësive motorike dhe mendore.
Zbatimi i këtyre metodave, përmes kurrikulës së re të parashkollorit, është një hap kyç për përgatitjen e fëmijëve për nivelet e ardhshme të arsimit.
- Trajnime për mësimdhënësit
Organizimi i trajnimeve dhe programeve të specializuara për mësimdhënësit, në mënyrë që ata të aftësohen për përdorimin e metodave krijuese dhe artistike gjatë procesit të mësimdhënies. Ata duhet të jenë në gjendje të kombinojnë lëndët shkencore, shoqërore dhe artistike, për të krijuar mësime më dinamike dhe tërheqëse.
Edukatoret duhet të trajnohen në përdorimin e metodave krijuese, duke përfshirë zbatimin e dramës dhe arteve në përgjithësi. Përfitimet e kësaj qasjeje janë të shumëfishta, duke përfshirë përmirësimin e komunikimit, socializimit dhe përgatitjes për jetë përmes situatave dhe karaktereve dramatike. Kjo është veçanërisht e rëndësishme gjatë implementimit të kurrikulës së re për arsimin e hershëm, pasi drama dhe teatri janë tashmë pjesë e kurrikulës botërore dhe të re për fëmijët parashkollorë.
- Rritja e financimit dhe mbështetja për programe artistike në shkolla
Investimi në programe artistike si pjesë e kurrikulës duhet të jetë prioritet. Sigurimi i materialeve dhe teknologjive të duhura për zhvillimin e arteve në shkolla, duke përfshirë mjete për artet pamore, muzikore dhe performuese.
Përfshirja e bashkëpunimit me institucione të ndryshme kulturore si teatrot, galeritë e artit dhe orkestrat, për t’u ofruar nxënësve përvoja reale të artit.
- Përdorimi i artit për zhvillimin e mendimit kritik dhe kreativ
Arsimi përmes arteve është një mënyrë e fuqishme për të zhvilluar mendimin kritik, analitik dhe kreativ të nxënësve. Përmes analizës së pikturave, skulpturave apo filmave, nxënësit mund të mësojnë të interpretojnë dhe të krijojnë lidhje mes disiplinave të ndryshme. Kjo qasje i ndihmon nxënësit të zhvillojnë aftësinë për të vlerësuar dhe krijuar vepra të reja artistike.
Të gjithë mësimdhënësit e shkollave fillore duhet t’i nënshtrohen një trajnimi të detyrueshëm për mësimdhënien krijuese. Kjo është thelbësore tani që po synohet zbatimi i mësimit tërëditor, për të përgatitur mësimdhënësit e të gjitha lëndëve që të krijojnë një proces mësimor më tërheqës dhe një shkollë më atraktive. Pa një mësimdhënës kreativ, edhe teknologjia digjitale nuk mund të përdoret në mënyrë efektive.
Përfundimisht, mund të themi se këto rekomandime reflektojnë mbi nevojën e një reforme më të gjerë për integrimin e arteve në sistemin arsimor, me qëllim përmirësimin e përvojës mësimore dhe të arritjeve akademike të nxënësve në arsimin parauniversitar.
Shpresojmë që MAShTI do t’i marrë parasysh seriozisht këto rekomandime, duke përfshirë gatishmërinë tonë për të kontribuar në implementimin e tyre dhe në zhvillime të tjera për përmirësimin cilësor të arsimit, përmes ekspertizës sonë, hulumtimeve dhe profesionalizmit, në përputhje me politikat arsimore.
Falënderojmë pjesëmarrësit për kontributin, me pyetje e komente, prezantuesit me idetë dhe të dhënat nga hulumtimet e tyre, panelistët për diskutimet dhe rekomandimet për integrimin e artit, dramës dhe teatrit në edukim, si dhe ekipin organizativ të simpoziumit.
Partnerë të konferencës:
Instituti Pedagogjik i Kosovës
MUTE fondation
Institui EdGuard