Në hapje të Konferencës pjesëmarrësit i përshëndeti ministrja e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe e Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci. Ndër të tjera, ministrja Nagavci theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Arsimit ndaj arsimit parauniversitar, duke zbatuar një qasje shumëdimensionale, me fokus në shtyllat prioritare të Strategjisë për arsim, pasi përmirësimi i sistemit të vlerësimit është ndër prioritetet e këtij niveli të arsimit. Vlerësimi, theksoi ajo, është thelbësor për të evidentuar shkallën e njohurive të fituara nga nxënësit, prandaj është i rëndësishëm bashkëpunimi ndërmjet institucioneve arsimore dhe hulumtuese për të ndarë praktikat më të mira dhe për të zhvilluar politikat efektive arsimore. Punimet e Konferencës i përshëndeti edhe dekani i Fakultetit të Edukimit, prof. Blerim Saqipi, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit me Institutin Pedagogjik të Kosovës në organizimin e konferencave, praktikat profesionale për studentët e Fakultetit të Edukimit, si dhe në krijimin e një rrjeti profesional për hulumtime në arsim, në nivel vendi.
Vlerësimet kombëtare në Kosovë, si Testi i Arritshmërisë dhe Provimi i Maturës Shtetërore, luajnë rol kyç në matjen e arritjeve të nxënësve në fund të nivelit të arsimit të mesëm të ulët dhe nivelit të arsimit të mesëm të lartë. Përveç këtyre, Kosova është pjesëmarrëse edhe në vlerësimet ndërkombëtare, si PISA, TIMSS dhe PIRLS, të cilat ofrojnë një perspektivë të rëndësishme për performancën e nxënësve tanë krahasuar me shtetet e tjera. Prandaj, prezantuesit shtjelluan aspekte të rëndësishme të pjesëmarrjes së nxënësve kosovarë në këto procese, mësimet nga këto vlerësime, si dhe mundësitë për përmirësim të rezultateve në të ardhmen.
Konferenca mblodhi rreth 200 pjesëmarrës, duke përfshirë hulumtues të shquar, pedagogë, politikëbërës, profesionistë të arsimit, nga vende të ndryshme, zyrtarë të MASHTI-t dhe të DKA-ve, drejtorë shkollash, mësimdhënës, studentë dhe përfaqësues nga organizatat e shoqërisë civile, të cilët ndanë përvojat e tyre dhe ofruan strategji për përmirësimin e arsimit parauniversitar në vend. Gjatë konferencës, u diskutuan tema me rëndësi, si: sistemi aktual i vlerësimeve kombëtare, pjesëmarrja e Kosovës në vlerësimet ndërkombëtare, si dhe strategjitë për përdorimin efektiv të rezultateve për të përmirësuar cilësisë në arsimin parauniversitar.
– Mbi 20 prezantime të zhvilluara në seanca paralele, duke mbuluar tema të ndryshme që lidhen me sistemin e vlerësimit në arsim.