Korniza Kurrikulare e arsimit parauniversitar në Kosovë përcakton dy lloje të vlerësimit: vlerësimin e brendshëm dhe të jashtëm. Vlerësimi i brendshëm bëhet në nivel shkolle/klase, nga mësimdhënësit e shkollës, sipas orientimeve të dokumenteve kurrikulare, si dhe procedurave dhe kritereve të përcaktuara me akte nënligjore të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Vlerësimi i jashtëm është vlerësim i standardizuar shtetëror. Ky lloj vlerësimi ka për qëllim matjen e nivelit të arritjes së rezultateve të të nxënit dhe zotërimin e kompetencave nga nxënësit në fund të tri niveleve të arsimit parauniversitar. Kosova, gjithashtu, merr pjesë në disa vlerësime të jashtme ndërkombëtare, për të matur nivelin e njohurive dhe shkathtësive të nxënësve në fusha dhe lëndë të caktuara mësimore.

Këtë vit, Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) organizon Konferencën shkencore vjetore që në fokus do të janë vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin parauniversitar në Kosovë, përvojat dhe perspektiva e tyre për të ardhmen. Në këtë konferencë, vlerësimet kombëtare u referohen vlerësimeve të jashtme të standardizuara shtetërore, siç është Testi i Arritshmërisë (në fund të klasës IX) dhe Provimi i Maturës Shtetërore (në fund të klasës XII). Ndërsa vlerësimet ndërkombëtare u referohen testeve PISA, TIMSS dhe PIRLS, në të cilat aktualisht merr pjesë Kosova. 

Kjo konferencë do të bashkojë akademikë, hulumtues, pedagogë, mësimdhënës e udhëheqës shkollash, politikëbërës dhe ekspertë ndërkombëtarë e kombëtarë të fushës së arsimit për të ndarë njohuritë dhe përvojat e tyre. Përmes prezantimeve, paneleve të diskutimit, dhe sesioneve interaktive, konferenca do të ofrojë mundësi për shkëmbim përvojash, identifikim të formave të efektshme të bashkëpunimit ndërmjet aktorëve të ndryshëm për të formuluar politika arsimore që mbështeten në të dhëna dhe hulumtime të besueshme. Në këtë mënyrë, konferenca e IPK-së ofron mundësi për një dialog të thellë dhe të frytshëm mbi mënyrat se si rezultatet në vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare mund të përmirësohen dhe mund të shfrytëzohen për reformimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor parauniversitar në Kosovë. 

Qëllimi i konferencës

Qëllimi i konferencës shkencore me temë “Vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare në arsimin parauniversitar në Kosovë: përvojat dhe perspektiva për të ardhmen” është të analizohet dhe të diskutohen përvojat, gjendja aktuale dhe sfidat e arsimit parauniversitar në Kosovë, me theks të veçantë në vlerësimet e standardizuara shtetërore dhe vlerësimet ndërkombëtare, në të cilat Kosova merr pjesë. Kjo konferencë do të shërbejë si një referencë dhe mundësi për hulumtues, pedagogë, mësimdhënës e udhëheqës shkollash, profesionistë të arsimit dhe politikëbërës të interesuar, për të shkëmbyer ide, strategji dhe praktika më të mira në fushën e arsimit përgjithësisht dhe vlerësimit në veçanti.

Tema & Programi

Temat specifike që do të trajtohen në konferencë:

Tema 1. Sistemi aktual i vlerësimeve kombëtare:

Analiza e metodave dhe praktikave aktuale të vlerësimeve kombëtare – vlerësimet e jashtme të standardizuara shtetërore, siç janë Testi i Arritshmërisë (në fund të klasës IX) dhe Provimi i Maturës Shtetërore (në fund të klasës XII) – në arsimin parauniversitar në Kosovë. Përvojat, sfidat dhe mundësitë për përmirësim.  

Tema 2. Kosova në vlerësimet ndërkombëtare:

Pjesëmarrja e Kosovës në vlerësimet ndërkombëtare (PISA, TIMSS, PIRLS), përvojat lidhur me përgatitjet dhe administrimin e vlerësimeve, analizën dhe prezantimin e rezultateve, si dhe politikat dhe strategjitë e përdorimit të rezultateve për të përmirësuar sistemin e arsimit. Përvojat, sfidat dhe mundësitë për përmirësim.  

Tema 3. Krahasimi i vlerësimeve kombëtare me përvoja nga vendet e tjera:

Prezantime dhe diskutim mbi praktikat dhe standardet ndërkombëtare të vlerësimeve kombëtare në arsimin parauniversitar në vende të ndryshme. Çfarë mund të mësojë Kosova nga këto përvoja?

Tema 4. Qasjet dhe strategjitë e përdorimit efektiv të rezultateve të vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare:

Studime, prezantime dhe diskutim mbi qasjet praktike dhe strategjitë e përdorimit efektiv të rezultateve të vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare për reformimin dhe përmirësimin e sistemit arsimor parauniversitar

Tema 5. Perspektiva për të ardhmen e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në Kosovë:

Diskutimi mbi trendët dhe inovacionet në arsim, me fokus në vlerësimet kombëtare e ndërkombëtare, si dhe mënyrat se si mund të aplikohen në kontekstin e Kosovës për të përgatitur nxënësit për sfidat e shekullit 21.

Këto tema janë gjithëpërfshirëse dhe shpresojmë motivuese për akademikë, hulumtues, pedagogë, mësimdhënës e udhëheqës shkollash, politikëbërës dhe ekspertë të interesuar të prezantojnë hulumtimet e tyre të fundit në këto fusha. Presim që prezantuesit dhe pjesëmarrësit të na ndihmojnë në realizimin e qëllimit të konferencës, duke inkurajuar bashkëpunim dhe dialog ndërmjet pjesëmarrësve. 

Tema 1: Sistemi aktual i vlerësimeve kombëtare

  • Cilat janë përvojat nga vlerësimet e standardizuara shtetërore (klasat IX dhe XII) që organizohen aktualisht në arsimin parauniversitar në Kosovë?
  • Si ndikojnë këto vlerësime në përmirësimin e performancës, ngritjen e rezultateve të të nxënit dhe motivimin e nxënësve?
  • Cilat janë sfidat kryesore që has sistemi i arsimit në Kosovë në raport me vlerësimet e standardizuara shtetërore dhe si mund të adresohen ato?

Tema 2: Kosova në vlerësimet ndërkombëtare

  • Si u është përgjigjur Kosova kërkesave dhe standardeve për pjesëmarrje dhe organizim të vlerësimeve ndërkombëtare?
  • Cilat janë mësimet kryesore të marra nga pjesëmarrja e Kosovës në vlerësimet ndërkombëtare – PISA, TIMSS dhe PIRLS?
  • Si mund të përdoren rezultatet nga këto vlerësimeve për të ndikuar në përmirësimin e politikave dhe praktikave arsimore në Kosovë?

Tema 3: Përvoja nga vendet e tjera – vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare

  • Cilat janë disa nga praktikat më të suksesshme të vlerësimeve në arsim që zbatohen në vende të tjera (BE dhe më gjerë)?
  • Si mund të adaptohen këto praktika dhe përvoja në kontekstin e Kosovës?
  • Cilat janë sfidat dhe mundësitë që dalin nga implementimi i praktikave dhe përvojave të huaja të vlerësimit në sistemin arsimor të Kosovës?

Tema 4: Qasjet dhe strategjitë e përdorimit efektiv të rezultateve të vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare

  • Cilat janë strategjitë më efektive për të përmirësuar cilësinë e arsimit parauniversitar duke shfrytëzuar rezultatet nga vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare?
  • Cilat janë kërkesat për ngritjen e kapaciteteve profesionale të mësimdhënësve dhe udhëheqësve për të drejtuar dhe menaxhuar sistemin e vlerësimit – kombëtar dhe ndërkombëtar?
  • Si mund të përdoret vlerësimi për të rritur përgjegjësinë dhe llogaridhënien në arsim në nivel shkolle, komune si dhe në nivel qendror?
  • Cilat janë rekomandimet nga hulumtimet në kontekstin kosovar dhe atë ndërkombëtar për përmirësimin e politikave arsimore bazuar në rezultatet nga vlerësime kombëtare dhe ndërkombëtare?
  • Si mund të implementohen këto politika për të siguruar një ndikim pozitiv dhe të qëndrueshëm në sistemin arsimor në Kosovë?

Tema 5: Perspektiva për të ardhmen e vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në Kosovë

  • Cilat janë trendët dhe inovacionet kryesore në fushën e arsimit, të cilat ndikojnë në vlerësimet kombëtare dhe ndërkombëtare në të ardhmen?
  • Si mund të përgatitet Kosova për të përmirësuar sistemin e arsimit duke u bazuar në trendët dhe inovacionet në fushën e vlerësimit në arsimin parauniversitar?

Për të siguruar një kombinim të mirë të prezantimeve, diskutimeve interaktive dhe mundësive për rrjetëzim, si dhe për t’u mundësuar pjesëmarrësve të marrin maksimumin nga konferenca brenda një dite, është planifikuar ky format i punës. Klikoni në butonin e mëposhtëm për ta shkarkuar agjendën.

Prezantimin tuaj mund ta përgatisni dhe ta dërgoni sipas njërit nga formatet e mëposhtme:
– Prezantim në seancë paralele – prezantime të shkurtra 15-20 minuta të hulumtimeve shkencore.
– Diskutim në panel – lidhur me njërën nga nëntemat e konferencës me profesionistë të fushës.
– Poster-prezantim – prezantime të studimeve të ndryshme, rasteve studimore, dhe përvojave nga profesionist të ndryshëm.

NDËRSA,

Prezantimi në seancë plenare – do të ketë fjalime kryesore nga prezantues të ftuar (vendorë e ndërkombëtarë). Këta prezantues do të identifikohen nga IPK-ja, në bashkëpunim me institucionet partnere.

DATA ME RËNDËSI:

Dërgimi i abstraktit

– Abstrakti përmban deri 250 fjalë.

deri më 1 prill 2024
Përgjigjja për abstraktin deri më 15 prill 2024

Dërgimi i punimit të plotë

– Punimi i plotë përmban 2500 – 2700 fjalë (pa abstrakt dhe referenca).

deri më 1 qershor 2024
Dërgimi i punimit të rishikuar/plotësuar deri më 1 korrik 2024
Përgatitja e punimeve për botim deri më 12 korrik 2024
Data e konferencës 20 shtator 2024
Vendi Prishtinë

Abstraktet/punimet dërgohen në emal-adresën e konferencës: konferenca.ipk@gmail.com

Për çdo informacion lidhur me konferencën do të njoftoheni përmes faqes së internetit të Institutit Pedagogjik të Kosovës https://ipkmasht.rks-gov.net

Ju mirëpresim!

KRITERET DHE STILI I SHKRIMIT TË PUNIMEVE PËR KONFERENCË

Abstrakti:

– Duhet të përmbajnë 200 deri në 250 fjalë.
– Stili i shkronjave: Times New Roman 12, ndërsa titulli Times New Roman 14.
– Titulli i punimit: Titulli i punimit duhet të përfaqësojë përmbajtjen e punimit. Duhet t’i përmbajë jo më shumë se 12 fjalë.
– Tema specifike e konferencës: (shënohet njëra nga pesë temat e konferencës).
– Të dhënat për autorin/en: Emrin, mbiemrin e autorit, emrin e institucionit ku punon autori, si dhe e-mail adresën.
– Abstrakti duhet të përmbajë një hyrje të shkurtër për temën, qëllimin, metodën kryesore të përdorur, gjetjet ose implikimet dhe përfundimet kryesore të pritshme.
– Abstrakti duhet të ketë deri në pesë (5) fjalë çelës. Stili i shkrimit sipas APA-s, botimi 7.

Abstrakti të dërgohet përmes postës elektronike/e-mail-it: konferenca.ipk@gmail.com

Vetëm pas një vlerësimi, do të bëhet pranimi ose refuzimi i tyre. Pas vlerësimit pozitivisht të abstrakteve dhe miratimit nga Këshilli Shkencor i Konferencës, autorët ftohen të dërgojnë punimin e plotë për prezantim në konferencë dhe botim në Librin e punimeve të konferencës.

Botimi i punimeve

Punimet e plota nga konferenca do të botohen në Librin e e punimeve të konferencës.

Punimet, të cilat do të shqyrtohen për botim duhet t’i plotësojnë kriteret vijuese:
– Punimet duhet të respektojnë stilin APA (struktura, referencat, stili i shkrimit).
– Emrin, mbiemrin e autorit, emrin e institucionit ku punon autori.
– Stili i shkronjave Times New Roman 12, ndërsa titulli Times New Roman 14.
– Emrin dhe mbiemrin e së paku dy recensentëve të punimit.
– Punimi duhet të ketë abstraktin sipas kritereve të dhëna më lart.
– Punimet për botim duhet të përmbajnë: hyrjen për temën dhe qëllimin, shqyrtimin e literaturës, metodologjinë e përdorur, gjetjet dhe analizën e tyre, diskutimin dhe implikimet, përfundimet dhe rekomandimet.
– Punimi duhet të përmbajë 2500 deri në 2700 fjalë.

Punimi për botim të dërgohet përmes postës elektronike/e-mail-it: konferenca.ipk@gmail.com

Të gjitha abstraktet e dhe punimet e pranuara do të botohen në Librin e punimeve të konferencës.

APLIKO NË KONFERENCË

Plotësoni të dhënat në formularin e mëposhtëm