Reflektim për Konferencën EdTech 2023 – Teknologjia në arsim, organizuar nga IPK dhe SHPIK
Qëllimi
Instituti Pedagogjik i Kosovës (IPK) dhe Shoqata Profesionale e Informaticientëve të Kosovës (SHPIK) më 30.10.2023 organizuan konferencën ndërkombëtare shkencore “EdTech 2023”. Qëllimi i konferencës ishte shkëmbimi i përvojave ndërmjet profesionistëve dhe studiuesve lidhur me risitë, sfidat dhe mundësitë e digjitalizimit dhe aplikimit të teknologjisë në arsim.
Tema kryesore
Konferenca trajtoi një ndër sfidat më të mëdha të mileniumit – edukimi teknologjik – gjegjësisht kompetencën digjitale të mësimdhënësve, si dhe aspektet e zhvillimit dhe funksionalizimit të kësaj komponente të arsimit, në Kosovë dhe më gjerë. Në konferencë prezantuan 8 folës në seancë plenare, 18 panelistë në 4 panele diskutimi, dhe morën pjesë rreth 180 pjesëmarrës nga institucione dhe organizata të ndryshme nga Kosova e më gjerë.
Seancat plenare
Intelegjenca artificale (AI) në edukim, të mësuarit AR/VR, potencialet, sfidat dhe roli për të ardhmen e arsimit, arti i përdorimit të AI në arsim për të përmirësuar procesin e mësimdhënies dhe mësimnxënies, ishin ndër temat kryesore të prezantuara në konferencë. Roli dhe rëndësia e tranformimit të edukimit për të nxitur evolucionin digjital në Kosovës ishte temë tjetër e trajtuar në seancë plenare.
Niveli i kompetencës digjitale të mësimdhënësve dhe përfshirja e saj në programet e zhvillimit profesional të mësimdhënësve u prezantua si studim i veçantë i IPK-së.
Diskutimet në panel
Hulumtimet e prezantuara trajtuan tema që kishin për synim identifikimin e nivelit dhe cilësisë së përgatitjes dhe aftësimit të mësimdhënësve, nxënësve dhe stafit tjetër shkollor për zbatimin e teknologjisë në mësimdhënie dhe nxënie. Pastaj u prezantuan dhe u diskutuan tema lidhur me vlerësimin dhe shkallën e adresimit të kompetencës digjitale në tekste shkollore dhe kompetencën digjitale të nxënësve. Prezantues dhe panelistë ngritën çështjet e ndërlidhura me kërkesat për aplikim të metodologjive novatore në mësimdhënie, zgjidhjen kreative të problemeve të drejtuara nga teknologjia, zhvillimin profesional në funksion të ngritjes së cilësisë së mësimdhënies, investimet dhe përmirësimi i infrastrukturës digjitale në institucionet arsimore, si dhe të nxënit përmes teknologjisë, aftësitë dhe ngecjet e nxënësve në përdorimin e teknologjisë në nxënie.
Mesazhi kryesor
Në arsim çdo risi ka përparësitë dhe pengesat. Ndryshimi në cilindo aspekt, pore të arsimit, ka përkrahësit, por edhe penguesit, aktivë ose latentë, të ndryshimit. Ndryshimet në teknologji patjetër që kanë ndryshuar mënyrën e jetës, por edhe qasjen ndaj mësimdhënies. Duke e trajtuar si ndryshim të madh për sistemin arsimor në Kosovë, konferenca u përmbyll me rekomandimin që digjitalizimi i arsimit kërkon përgatitje dhe qasje holistike për orientimin e këtij procesi, koordinim dhe punë të përbashkët ndërmjet aktorëve kryesorë në të mirë të brezit të ri dhe kërkesave për punë dhe jetë.
Falënderim
IPK-ja falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe prezantuesit për kontributin e tyre.
Ju mirëpresim në konferencat e radhës!