Instituti Pedagogjik i Kosovës mbajti konferencën shkencore ndërkombëtare në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit ‘Isa Boletini’ Mitrovicë me datë 1 dhe 2 dhjetor 2022.
Në konferencë morën pjesë përfaqësues nga institucione të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, si: nga Fakulteti i Edukimit dhe Shkencave Sociale në Norvegji, Instituti i Arsimit të Sllovenisë, Enti i Arsimit i Malit të Zi, Universiteti i Tiranës, hulumtues nga Instituti Pedagogjik i Kosovës, profesorë nga universitetet e Edukimit në Kosovë, inspektorë të arsimit, drejtorë shkollash, mësimdhënës dhe studentë.
Hapjen e Konferencës e bënë drejtori i Institutit Pedagogjik të Kosovës, z. Nezir Çoçaj dhe z. Alush Musaj, rektor i Universitetit të Mitrovicës “Isa Boletini”.
Përfaqësuesit nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse prezantuan përvojat e tyre lidhur me ngarkesën kurrikulare në arsimin parauniversitar, elementet që mund të sjellin një strategji funksionale për trajtimin dhe preventiven e mbingarkesës kurrikulare, si dhe kahet zhvillimore për rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit të mësimdhënies, si një nga veprimet kryesore për të garantuar mirëqenien e të gjithë nxënësve dhe eliminimin e pabarazive në mësim.
Vemendje të veçantë mori prezantimi i hulumtimit të Institutit Pedagogjik të Kosovës: “Mbingarkesa Kurrikulare në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ( Realitet apo perceptim?)”.
Mbingarkesa kurrikulare është një problem global, i cili në vitet e fundit ka marrë vëmendje më të madhe nga zhvilluesit e kurrikulave, studiuesit dhe institucionet arsimore.
Konferenca i vazhdoi punimet edhe ditën e dytë me studimet nga profesorë të Universitetit të Prishtinës, UIBM, mësimdhēnës shkollash, hulumtues të IPK-së, për mbingarkesën kurrikulare në aspekte të veçanta!
Konferencat e tilla janë një mundësi e mirë për komunitetin e gjerë arsimor që të shkëmbejnë ide, përvoja, rezultate shkencore, si dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi në sektorin e arsimit për veprime dhe studime në fusha dhe tema të veçanta me interes të gjerë për profesionistët e arsimit dhe shoqërinë në përgjithësi.
Konferenca është bërë tashme tradicionale dhe kumtesat e prezantuara, si çdo vit tjetër, edhe këtë vit, krahas punës kërkimore të Institutit gjatë vitit 2022, hulumtimeve të realizuara në fusha dhe tematika të veçanta, do të botohen nga Instituti Pedagogjik.
Pjesëmarrësve iu shpërnda botimi i IPK-së, subjekt i të cilit ishte tema bosht e Konferencës dyditore. Për prezantuesit dhe pjesëmarrësit u ndanë certifikata.