Në vitin 2015, Instituti Pedagogjik i Kosovës u anëtarësua në Konsorciumin e Instituteve për Zhvillim dhe Hulumtim në Edukim në Evropë (CIDREE – Consortium of Institutions for Development and Research in Education in Europe). Hulumtuesit e IPK –së marrin pjesë dhe kontribuojnë në të gjitha aktivitete e përbashkëta, si dhe përgatisin dhe i botojnë punimet në Vjetarin e përbashkët të CIDREE, i cili prezantohet dhe promovohet në Konferencën Vjetore të CIDREE.
CIDREE është një rrjet i vetëmenaxhuar i njësive edukative, të cilat luajnë rol të njohur nacional në fushën e zhvillimit të kurrikulave dhe/ose në fushën e hulumtimit në edukim. Është krijuar në vitin 1999, me qasje për ndërtimin e raporteve të afërta të bashkëpunimit në sistemin edukativ evropian. CIDREE udhëhiqet nga anëtarët, për anëtarët.
Misioni i CIDREE:
- Të kontribuojë në rritjen e kualitetit të vendeve anëtare, përmes ndërlidhjes dhe shkëmbimit në nivel të lartë të njohurive dhe përvojave;
- Të ndërtojë CIDREE-n si një rrjet me ndikim, dinamik dhe të përgjegjshëm, që mbështet interesat individuale dhe të institucioneve – anëtarëve;
- Të respektojë interesat e institucioneve anëtare në rrjetet dhe organizatat e tjera evropiane.
Në suaza të veprimtarisë dhe mundësive të bashkëpunimit të vendeve anëtare të CIDREE, Institute for Education Quality and Evaluation –IEQE nga Serbia (https://ceo.educ.rs), në vitin 2022 realizon projektin ‘Quality Assurance in Education: Strategical Approach in Reading literacy-QUASAR’. Pjesë e këtij projekti janë edhe Kosova, e përfaqësuar nga Instituti Pedagogjik i Kosovës-IPK (https://ipkmasht.rks-gov.net) dhe Sllovenia, e përfaqësuar nga National Education Institute of Slovenia-NEI(https://www.zrss.si).
Në projektin QUASAR, përveç shkëmbimit të përvojave për temën e projektit, në fokus të bashkëpunimit janë reflektimi dhe identifikimi i qasjeve për këto aspekte:
- Politikat zyrtare në vendet anëtare të CIDREE, në zhvillimin e shkrim-leximit (standardet arsimore, kurrikula e gjuhës/leximit në arsimin fillor, zhvillimi profesional-kërkesat dhe programet);
- Përvoja në iniciativat kombëtare, rajonale dhe lokale, në nxitjen e shkrim-leximit në arsimin fillor;
- Monitorimi i progresit të nxënësve në lexim (vlerësimi kombëtar, provimi përfundimtar në fund të shkollës fillore) dhe ndikimi i pandemisë Covid-19 në shkrim-leximin.
Duke qenë se leximi është hapi i parë dhe baza për çdo mësim dhe zhvillim, synimi është që, përmes bashkëpunimit, të identifikojmë përvojat e mira dhe mundësitë për:
- Përmirësim/avancim të shkathtësive të nxënësve për shkrim-lexim;
- Zhvillim të koncepteve për Strategji Kombëtare për inkurajim të shkrim-leximit,
- Identifikim të qasjeve dhe masave që do të përmirësojnë rezultatet e nxënësve në vlerësimin kombëtar dhe ndërkombëtar në shkrim-lexim.
- Mbledhje të shembujve të praktikave të mira nga vende të ndryshme, të cilët do të shpërndahen përmes faqes së internetit CIDREE, faqes së internetit të institucioneve partnere dhe rrjeteve sociale,
- Mbledhje të ideve dhe temave për takime/projekte të mëtejshme,
- Zhvillim të dokumenteve/publikimeve që mund të përdoren nga institucionet anëtare.
Përfaqësues nga IPK-ja në aktivitetet e projektit, përfshirë edhe vizitat dhe takimet në bashkëpunim, është përcaktuar të jenë hulumtuesit Ismet Potera, Luljeta Shala dhe koordinatorja nacionale për CIDREE, Haxhere Zylfiu.
Takimi i parë, në kuadër të projektit të përbashkët, u mbajt në Beograd, më 17 dhe 18 maj 2022. Mikpritës ishin udhëheqës dhe zyrtarë nga IEQE, ndërsa pjesëmarrës ishin përfaqësues nga NIE si dhe hulumtuesit nga IPK.
Në takim u prezantuan dhe u diskutuan informatat lidhur me politikat zyrtare në vendet partnere në zhvillimin e shkrim-leximit, kurrikulat e gjuhës/leximit në arsimin fillor, kërkesat dhe programet për zhvillim profesional të mësimdhënësve, procesi i të mësuarit nga kolegët për standardet arsimore dhe përvojat në iniciativat kombëtare, rajonale dhe lokale për inkurajimin e shkrim-leximit. U reflektua për përvojat dhe u dhanë materialet për publikim në platformën SharePoint, në të cilin mund të kenë qasje të gjitha institucionet anëtare në CIDREE.