Rëndësia e modulit
Bashkëpunimi edukatore-prind është i një rëndësie të veçantë për edukatorin, për institucionin edukativ parashkollor/parafillor, për prindin, e sidomos për fëmijën, zhvillimin dhe edukimin e tij të plotë. Rëndësia e pakontestueshme e bashkëpunimit edukatore-prind është konfirmuar/obliguar edhe me dokumentin “Ligji mbi edukimin parashkollor”, më saktësisht Ligji Nr. 02/L-52 – 2006.
Prandaj, funksionimi i këtij komponenti, gjatë realizimit të punës me fëmijët e moshës parashkollore, është obligim i secilit institucion parashkollor në përgjithësi dhe i secilës edukatore në veçanti. Sipas këtij ligji, janë të përcaktuara në detaje, aspektet në të cilat duhet të zbatohet bashkëpunimi, si dhe obligimet që kanë edukatorja dhe prindi lidhur me këtë bashkëpunim. Më konkretisht, në nenin e parë, përkufizimin nr. 7, thuhet: “Pjesëmarrja e prindërve i referohet involvimit të prindërve në aranzhimet e bëra nga institucionet parashkollore, për të ndihmuar dhe kontribuar në efektivitetin e punës së tyre”.
Po ashtu, sipas nenit 8 të këtij ligji, ndër detyrat themelore të institucioneve edukative parashkollore detyra e parë është ‘t’u jepet ndihma prindërve në përkujdesjen dhe edukimin e fëmijëve të tyre në shtëpi’.
Bashkëpunimi i institucionit parashkollor me prindërit, nuk mbetet pa u potencuar as te çështja e miratimit të programeve edukativo-arsimore për fëmijët parashkollorë dhe neni 12, pika 3, specifikon se njëri ndër programet edukative për fëmijët, që institucioni duhet ta miratojë, është “Mënyra dhe forma e bashkëpunimit me prindër”.
Se sa i rëndësishëm është faktori prind në punën me fëmijët, tregon edhe neni 29, pika 1, e të njëjtit ligj (për parashkollor), sipas të cilit potencohet që “Fondi i orëve të punës për edukatore parashkollore duhet të përfshijë përgatitjet, planifikimin, realizimin e aktiviteteve edukative, bashkëpunimin me prindërit dhe pjesëmarrjen e tyre në organizimin e jetës dhe të punës në institucionet parashkollore”.