U.D. drejtoresha e Institutit Pedagogjik, Labëri Luzha, ka folur për veprimtarinë dhjetëvjeçare të IPK-së, si një institucion hulumtues-shkencor, të arriturat dhe sfidat me të cilat është ballafaquar ky Institut.
Luzha ka thënë se, IPK që nga themelimi ka zhvilluar veprimtari profesionale në funksion të mbështetjes së shkollave, zyrave administrative arsimore dhe të MAShT-it, veprimtari të cilën e ka realizuar përmes aktiviteteve hulumtuese dhe trajnuese në aspektin pedagogjik, didaktik dhe metodik, në bashkëpunim me universitetet dhe agjencitë e vendit.
Nga ana e tij, zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbër Geci mori pjesë në Konferencën jubilare me rastin e shënimit të dhjetëvjetorit të Institutit Pedagogjik të Kosovës (IPK), ku u prezantua puna dhjetëvjeçare kërkimore-shkencore e këtij Instituti.
Zëvendësministri Geci, me këtë rast ka falënderuar grupin që ndërmori iniciativën për themelimin e IPK-së, Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe Centro Europa Scuola Educazione Societa (CESES), në veçanti z. Giovani Poliani, për angazhimin dhe arritjen e qëllimit për themelimin e IPK-së.
Zv/ministri Geci vlerësoi se, IPK gjatë këtyre viteve ka arritur që të hulumtojë dhe trajtojë dhjetëra tematika me rëndësi të veçantë për reformimin e arsimit në Kosovë, të realizojë publikime në baza vjetore në fusha të ndryshme, të mbështesë MASHT-in në zhvillimin e politikave arsimore, të mbështesë institucionet arsimore me udhëzues profesional dhe trajnime për mësimdhënës dhe udhëheqës arsimor.
 “Ministria e Arsimit, IPK-në e konsideron si një nga institucionet publike me rëndësi të veçantë për avancimin cilësor të reformave në arsimin parauniversitar. Forcimi i komunikimit dhe bashkëpunimit të MASHT-it dhe institucioneve tjera arsimore me IPK-në dhe ushtrimi i rolit e përgjegjësisë nga IPK, në bazë të veprimtarisë që ka, do të shërbejnë për adresimin me sukses të sfidave në arsim”, ka thënë zëvendësministri Geci.
Në Konferencën jubilare fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi, drejtori i Institutit të Zhvillimit të Arsimit në Tiranë, Gerti Janaqi, ish- presidenti i CESES-it dhe bashkëthemeluesi i IPK-së, Gioviani Poliani , shefi i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju dhe Kujtim Rrahmani, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës.
Shkarko: