Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për realizimin e interesave të dyanshme në fushën e edukimit dhe të kërkimit. Marrëveshja ndërmjet këtyre dy institucioneve, të drejtuara nga drejtoresha e Institutit Pedagogjik të Kosovës, Labëri Luzha dhe rektori i Universitetit Alush Musaj, është nënshkruar më 23.10.2017.
Në kuadër të marrëveshjes parashihet që palët të bashkëpunojnë për organizimin e veprimtarive shkencore në interes të dy institucioneve: konferenca dhe simpoziume të përbashkëta, për realizmin e hulumtimeve të përbashkëta, botime të përbashkëta nga fusha e arsimit dhe edukimit, botime të studimeve dhe artikujve shkencorë në revistat shkencore. Po ashtu janë pajtuar që të bashkëpunojnë për aplikimin dhe zbatimin e projekteve ndërkombëtare, të cilat janë të ndërlidhura me veprimtarinë e dy institucioneve tona.
Ndër të tjera, në marrëveshje parashihet që palët të pajtohen për angazhim të hulumtuesve të IPK-së si mësimdhënës për lëndët pedagogjike, në rast të plotësimit të kushteve përkatëse dhe nevojave të programeve të Fakultetit të Edukimit, si dhe studentët e programeve fillor dhe parashkollor të bëjnë praktikën pedagogjike në IPK. Angazhimi do të bëhet sipas nevojave dhe do të rregullohet me marrëveshje të veçantë.
Drejtoresha e IPK-së, Labëri Luzha, fillimisht e falënderoi rektorin për mikpritjen dhe mundësinë e bashkëpunimit. Me këtë rast, ajo tha se me këtë marrëveshje mundësohet që institucionet të japin ndihmë të ndërsjellë për hulumtuesit, studiuesit, për të lehtësuar punën në kryerjen e veprimtarisë kërkimore-shkencore.
Rektori Musaj falënderoi drejtuesen e IPK-së për mundësinë e ofruar. Ai tha se në kuadër të marrëveshjes planifikohet që të këmbehen materiale arkivore dhe literaturë shkencore, informacione, libra të përshtatshëm dhe materiale referuese të publikuara në të dy institucionet. “Jemi dakorduar që të shkëmbejmë botimet/hulumtimet e realizuara, mandej të shkëmbejmë anëtarë në borde drejtuese dhe në redaksi profesionale apo shkencore, të të dy institucioneve”, theksoi ai.
Shkarko: