Platforma Evropiane e Edukimit Shkollor është pika e takimit për komunitetin e mësimdhënësve që punojnë në institucionet e edukimit të hershëm, shkollat fillore, shkollat e mesme dhe ato profesionale. Platforma është pa pagesë dhe është shtëpia e eTwinning, komunitetit online për shkollat në Evropë.
Linku i platformës: https://school-education.ec.europa.eu/en
eTwinning është një komunitet për shkollat, një hapësirë online që ofron mundësi për mësimdhënësit, nxënësit dhe shkollat në të gjithë Evropën për të punuar së bashku në projekte, për të diskutuar në grupe online, për të shkëmbyer praktikat më të mira dhe për të zhvilluar aftësitë profesionale. eTwinning promovon mësimin e bazuar në projekte, shkëmbimin kulturor dhe qytetarinë dixhitale.
Linku për eTwinning: https://school-education.ec.europa.eu/en/etwinning
eTwinning financohet nga Bashkimi Evropian në kuadër të programit Erasmus+, i cili synon të mbështesë arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin në Evropë.
Nga Janar i vitit 2024 edhe Kosova i është bashkuar komunitetit të eTwinning fal bashkëpunimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë e cila bashkë-financon programin eTwinning në Kosovë së bashku me Bashkimin Evropian ndërsa implementohet nga Zyra Kombëtare Mbështetëse për eTwinning në Kosovë. Kosova i është bashkuar komunitetit të më shumë se 40-të vendeve duke përfshirë shtetet anëtare të BE-së, si dhe disa vende jo anëtare të BE-së që marrin pjesë në eTwinning.
Në qershor të vitit 2024, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë është bërë edhe lancimi zyrtar i programit eTwinning në Kosovë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Znj. Arbërie Nagavci, Z. Johannes Madsen – udhëheqës për bashkëpunim nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Znj. Mimika Dobroshi – koordinatore e zyrës Erasmus+ në Kosovë. Në event ishin pjesëmarrës edhe zyrtar nga MASHTI, zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, drejtoritë komunale të arsimit në Kosovë, fakultetet e edukimit, media, etj.
Anëtarësimi në komunitetin eTwinning u ofron shkollave dhe mësimdhënësve në Kosovë përfitime të shumta:
- Bashkëpunimi ndërkombëtar: Shkollat mund të angazhohen në projekte bashkëpunuese me partnerë nga Kosova dhe nga vende të tjera, duke pasuruar përvojat e mësimdhënësve dhe nxënësve;
- Mësimi i avancuar: projektet eTwinning promovojnë të mësuarit aktiv, të menduarit kritik dhe aftësitë e zgjidhjes së problemeve përmes aktiviteteve praktike, ndërkulturore, etj.
- Zhvillimi Profesional: Mësimdhënësit dhe stafi i shkollës mund të kenë akses në burime të shumta informacioni, mundësi trajnimi dhe mbështetje për të përmirësuar praktikat e tyre të punës dhe për të qëndruar të përditësuar me trendet arsimore.
- Shkëmbimi kulturor: Mësimdhënësit dhe nxënësit kanë mundësinë të ndërveprojnë me partnerët me prejardhje të ndryshme kulturore, duke nxitur mirëkuptimin dhe tolerancën.
- Integrimi i TIK-ut: eTwinning inkurajon përdorimin e teknologjisë në arsim, duke ndihmuar shkollat të përdorin mjetet dhe burimet dixhitale për të përmirësuar mësimdhënien dhe të nxënit.
- Njohja dhe Vlerësimet: Mësimdhënësit mund të marrin mirënjohje dhe vlerësime për projektet e tyre eTwinning në nivel kombëtare dhe ndërkombëtar.
Instituti Pedagogjik i Kosovës dhe eTwinning në Kosovë
Instituti Pedagjogjik i Kosovës është një partner i rëndësishëm në programin eTwinning dhe shtrirjen e tij në shkollat e zonave urbane dhe rurale të Komunave të Kosovës.
Instituti Pedagogjik i Kosovës luan një rol të rëndësishëm në promovimin e projekteve të eTwinning në Kosovë tek bashkëpuntorët.
Roli i IPK-së në eTwinning në Kosovë mund të përfshijë:
- Zhvillimi i Hulumtimeve: Instituti mund të angazhohet në zhvillimin e hulumtimeve për ndikimin e projekteve eTwinning në shkollat e Kosovës duke ofruar raporte dhe rekomandime.
- Trajnime të përbashkëta për mësimdhënësit: Instituti në koordinim me Zyrën Kombëtare Mbështetëse për eTwinning në Kosovë mund të ofrojë trajnime për mësimdhënësit për integrimin e eTwinning në procesin mësimor.
- Rrjetëzim dhe ndarje përvojash: Instituti në koordinim me Zyrën Kombëtare Mbështetëse për eTwinning në Kosovë mund të organizoj takime për ndarjen e përvojave mes mësimdhënësve dhe ekspertëve të arsimit, duke krijuar një hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira për integrimin e eTwinning në shkolla.